Pyetje: Çfarë është programi i certifikimit?

-Përgjigje: Programi i Certifikimit është sistemi i bazuar në cikle individuale që përputhen me lejen e ushtrimit të profesionit të lëshuar nga Urdhri profesional përkatës brenda afatit kohor të cilave profesionistët e shëndetësisë dhe kujdesit shoqeror duhet të mbledhin një numër të caktuar kreditesh.

Brenda një cikli individual 5-vjeçar (nga data e lëshimit të lejes së ushtrimit të profesionit deri në përfundim të saj ), mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 150 kredite të edukimit në vazhdim, stomatologët dhe farmacistët e ndihmësfarmacistët 75 kredite, infermierët e mamitë 50 kredite, psikologe dhe punonjes social 60. Numri vjetor minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për mjekët është 10 kredite, për farmacistët, ndihmësfarmacistët , stomatologët 5 kredite dhe psikologet dhe punonjesit social 7 kredite.

Pyetje: Të gjithë profesionistët e shëndetësisë dhe kujdesit shoqeror duhet të marrin pjesë në programin e certifikimit?

-Përgjigje:Profesionistët e përfshirë në programin e certifikimit janë: mjekët, stomatologët, farmacistët e ndihmësfarmacistët,infermierët e mamitë, dhe psikologet punonjesit social,shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ofrojnë shërbime shëndetësore në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe terciar dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore. Profesionistët të cilët janë në pension dhe ushtrojnë profesionin. Profesionistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë.

Nuk përfshihen në program profesionistët që punojnë në administrate dhe nuk janë të pajisur me leje të ushtrimit të profesionit nga Urdhri professional përkatës. Ata profesionistë, të cilët dalin në pension brenda periudhës 5-vjeçare të ciklit individual dhe që nuk do të vazhdojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre në sektorin privat, përjashtohen nga detyrimet e programit të certifikimit për atë cikël. Profesionistët, të cilët gjatë një viti të ciklit individual të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit.

-Pyetje: Si të regjistrohem në programin e certifikimit?

-Përgjigje: Nëse jeni një mjek, farmacist, ndihmësfarmacist, stomatolog, infermier ,mami, psikolog dhe punonjes social i punësuar në institucionet publike dhe private shëndetësore ose akademike, atëherë është përgjegjësia juaj individuale që të regjistroheni në këtë program, përmes sherbimeve online te ofruar ne platformen ealbania ne kete link https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14039.

Pyetje: Nëse gjatë një viti unë mbledh më shumë kredite se ato të kërkuara nga programi, a më humbasin kreditet shtesë?

-Përgjigje: Jo, kreditet shtesë të mbledhura gjatë një viti mund të transferohen në vitet e tjera të ciklit individual 5-vjeçar të certifikimit. Pra, nëse ju jeni mjek dhe gjatë vitit të parë mblidhni 40 kredite, atëherë 10 kreditet shtesë transferohen në vitet pasardhëse.

Pyetje: Si mund të informohem për gjendjen e krediteve?

-Përgjigje: Të gjithë ju që jeni të regjistruar në regjistrin kombëtar të certifikimit mund të shikoni gjendjen tuaj të krediteve përmes sherbimit online te ofruar ne platformen ealbania ne kete link : https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=15588

Pyetje: Cilat janë detyrimet që duhet të përmbush gjatë ciklit individual?

-Përgjigje: Nëse jeni mjek, detyrimi juaj është plotësimi i të paktën 150 krediteve përmes ndjekjes së aktiviteteve të ndryshme të edukimit në vazhdim, si konferenca, seminare, trajnime, por dhe shkrimit të artikujve shkencore ose leximit të literaturës. Për çdo vit të ciklit individual duhet te grumbulloni minimalisht 10 kredite ndërsa numri i rekomanduar për vit është 30 kredite.

Nëse jeni farmacist, stomatolog, apo ndihmësfarmacist detyrimi juaj është plotësimi i të paktën 75 krediteve për periudhën 5-vjecare të ciklit individual. Për çdo vit të ciklit individual duhet të grumbulloni minimalisht 5 kredite ndërsa numri i rekomanduar për vit është 15 kredite.

Nëse jeni psikolog apo punonjes social detyrimi juaj është plotësimi i të paktën 60 krediteve për periudhën 5-vjecare të ciklit individual. Për çdo vit të ciklit individual duhet të grumbulloni minimalisht 7 kredite ndërsa numri i rekomanduar për vit është 12 kredite.

Kreditet e përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim të lidhura drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti.

Të gjithë profesionistët e shendetesise mund të përfitojnë kredite nga aktivitete të vetëraportuara deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara.

Të gjithë profesionistët e kujdesit shoqeror mund të përfitojnë kredite nga aktivitete të vetëraportuara deri në 25% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara.